Dy vajza rrihen me një 22-vjeçar, të gjithë përfundojnë në spital

Përleshjet fizike ku përfshihen të rinjtë kosovarë janë bërë një dukuri alarmante duke u cenuar kështu siguria publike dhe duke u rrezikuar shëndeti i tyre. Për një rast të tillë që ka ndodhur dje në Prizren, Prokuroria ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në rrugën ‘Shaip Spahiu’, ku janë përfshirë dy vajza të moshave 22 dhe 25-vjeçare dhe një 22-vjeçar.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se kanë qenë vajzat ato të cilat kanë kërkuar ndihmën e Policisë duke pretenduar që janë sulmuar nga i riu, mirëpo pas veprimeve hetimore edhe ato janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarave.

Për shkak të lëndimeve që kanë marrë gjatë përleshjes, tre të rinjtë kanë marrë ndihmë mjekësore e më pas kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin para hetuesve policorë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tyre të iniciohet rasti ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe të njëjtit të hetohen në liri.

Lexo edhe:  Ky është 25 vjeçari që vdiq tragjikisht në aksidentin e mbrëmshëm