Dy vajza e bëjnë llom një 20-vjeçare në Mitrovicë, e përplasin për xhami

Në përleshjet fizike që ndodhin mes qytetarëve në qytetet e ndryshme të vendit, shpesh herë përfshihen edhe vajzat e gratë të cilat rrihen mes vete. Një rast i tillë ka ndodhur dje pasdite në Mitrovicën e Veriut, ku një vajzë e re është sulmuar fizikisht nga dy familjaret e saj.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur pas një zënke mes tri vajzave, me ç’rast dy nga to kanë eskaluar në dhunë fizike ndaj 20-vjeçares duke e tërhequr zvarrë për flokësh e duke e goditur me grushte.

Bazuar në dëshminë e viktimës, dy të dyshuarat e kanë përplasur për xhami, derisa ai është thyer.

Përballë kësaj situate, ajo ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer gjithë tmerrin që përjetoi nga dy familjaret e saj.

Dy të dyshuarat janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor për intervistim. Ndërkohë Policia ka kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes, për të mësuar detaje që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Me urdhër të prokurorit, ndaj dy të dyshuarave është iniciuar rasti për veprën ‘Sulm’.

Lexo edhe:  Iranianët tentojnë të futen në Kosovë duke mashtruar, mësohet qëllimi i tyre!