Dy të vdekur nga goditja e trenit në Klinë, policia thotë se drejtuesi i veturës nuk ishte ndaluar mbi hekurudhë
Një aksident me fatalitet ka ndodhur ditën e shtunë në Klinë, ku dy persona kanë humbur jetën.
Policia në raportin 24-orësh ka dhënë detaje mbi rastin, ku siç thuhet në njoftim, drejtuesi i furgonit nuk ka ndaluar mbi hekurudhë, dhe është goditur nga treni.
“Krushevë e Madhe, Klinë / 09.03.2024 – 18:10. Një mashkull dhe një femër kosovar-e kanë mbetur të vdekur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur midis automjetit (furgon) që po udhëtonin dhe një treni. Aksidenti dyshohet se ka ndodhur pasi drejtuesi i automjetit (i vdekuri) nuk e ka ndaluar automjetin në shenjën STOP para vendkalimit mbi hekurudhë me ç’rast është goditur nga treni”, thuhet në njoftim.
Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor.
Me urdhër të prokurorit trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në obduksion.
Ndryshe, aksidente të shumta janë raportuar se kanë ndodhur në vazhdimësi në Klinë, në pjesën ku kalon treni.