Dy të rinj në Skenderaj kërcënojnë zyrtarin e pyjeve, tentojnë ta rrahin: “Nëse i merr drutë ki me pësu”

Prerja ilegale e pyjeve është një dukuri e shpeshtë në vendin tonë.

Kosovarët jo rrallëherë kapen në flagrancë duke prerë dru në pyje apo duke i transportuar dhe për pasojë i zë sherri me zyrtarët e Agjencia e Pyjeve. Shumë herë ka ndodhur që këto raste kanë eskaluar edhe në kanosje serioze e rrahje  brutale, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në fshatin Lubavec të Skenderajt, ku dy persona janë ndaluar nga një zyrtar, nën dyshimet se po bënin transportimin e druve me kamioneta, pa pasur fare dokumentacion. Ata u zbuluan pasi viktima kërkoi dokumentet në mënyrë që të bëhet verifikimi.

Sinjali mëson se aty situata u tensionua, pasi të dyshuarit e kërcënuan zyrtarin se do ta pësojë keq nëse iu konfiskohen drutë. Për të mos mbaruar me kaq, ata dyshohet se edhe tentuan ta sulmojnë viktimën me një shufër metalike., por ai arriti të ikë dhe ta raportojë rastin.

Si rezultat i raportimit të rastit, të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tyre të iniciohet rasti për veprën penale “Kanosje”, kurse drutë janë konfiskuar.

Lexo edhe:  KFOR-i paralajmëron heqjen e barrikadave, por ka një "nëse"