Dy punëtorë të QKUK-së tentuan ta vjedhin dhe ta shesin CT-në e vjetër për hekur, u kapën nga Policia
Dy punëtorë të QKUK-së dyshohet se tentuan ta vjedhin një pajisje CT të vjetër në QKUK dhe të njëjtën ta shesin për hekur. Ata u kapën nga Policia e Kosovës dhe pajisja u kthye në vendin e saj.
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dy punëtorë tentuan ta vjedhin një aparaturë të vjetër të Tomografisë së Kompjuterizuar (CT) dhe të njëjtën ta shesin për hekur, shkruan Gazeta Shneta.
CT ishte jashtë funksionit që një kohë dhe ishte kategorizuar si mbeturinë metalike për shitje. Kjo pajisje ishte vendosur në hapësirat e Kaldatores së QKUK-së. Por dy punëtorë të QKUK-së tentuan ta vjedhin atë dhe ta shesin.
Por punëtorët u pikasën nga një anëtarë i sigurimit të QKUK-së e më pas u njoftuan edhe përgjegjësit e QKUK-së të cilët e thirrën edhe Policinë e Kosovës, ka mësuar detaje redaksia e Gazetës Shneta.
Dy punëtorët më pas janë intervistuar nga Policia e Kosovës dhe pajisja ishte kthyer sërish në vendin e saj.
Lajmi është konfirmuar edhe nga QKUK, të cilët kanë dhënë disa detaje por nuk kanë treguar se kush janë personat që u përfshinë në këtë vjedhje.
“Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK) ju njofton se në hapësirat e Kaldatores së QKUK-së, është konstatuar mungesa e një pajisjeje të vjetër CT, e cila ishte jashtë përdorimit dhe e deponuar për trajtim si mbeturinë metalike për shitje. Pas njoftimit të menjëhershëm të organeve të rendit, Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe brenda një kohe të shkurtër ka arritur të gjejë pajisjen, e cila më pas është kthyer në vendin e saj”, kanë deklaruar nga QKUK.
Menaxhmenti i QKUK-së ka thënë se janë ndërmarr masa ndaj dy punëtorëve në fjalë, por nuk ka treguar se çfarë zyrtarë janë ata.
“Rasti është nën trajtim nga Policia e Kosovës, ndërsa menaxhmenti i QKUK-së ka ndërmarrë të gjitha masat ndaj personave në fjalë konform legjislacionit në fuqi”, kanë deklaruar nga QKUK.