Dy prej të plagosurve në Pejë janë futur mbrëmë në operim, ngjarja dyshohet se ndodhi për shit-blerjen e një veture
Tre persona kanë mbetur të plagosur mbrëmë në Pejë pas një përleshje që ndodhi në afërsi të një furre në këtë qytet.
Për motive akoma të panjohura, viktimat, babai me dy djemtë u qëlluan me armë zjarri, ndërsa i dyshuari ka ikur. Policia dhe Prokurori i Shtetit kanë nisur hetimet intensive për identifikimin dhe kapjen e personit të dyshuar.
Policia ka identifikuar një person që dyshohet se është i përfshirë në rast dhe ka marrë urdhër për bastisjen e shtëpisë së tij.
Sinjali ka mësuar se personi që është cak i hetimit është Agron Gashi, i cili nuk është gjetur në shtëpinë e tij me rastin e kontrollit.
Derisa, Policia ka kërkur ndihmën e qytetarëve për të lokalizuar të dyshuarin.
Agron Gashi sipas Policisë dyshohet për veprën penale – vrasje e rëndë në tentativë.
Ai po dyshohet për plagosjen e tre personave, Jeton Berishës dhe dy djemve të tij, Jetnisit dhe Jetartit.
Tre të plagosurit janë dërguar mbrëmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Njëri nga të plagosurit që ka qenë në gjendje më të rëndë është futur në sallë të operimit.
Lajmin e ka konfirmuar mjeku kujdestar, Ejup Govori, i cili tha se pacienti që është futur në operim është i vitit të lindjes 1973.
“I kemi pranuar tre pacientë me plagë nga arma e zjarrit. Njëri nga ta, në gjendje më të rëndë është futur në sallë të operimit, kurse edhe një tjetër pritet tash të hyjë. Kurse, në gjendje më të lehtë është një tjetër, por edhe ai ka plagë serioze”, tha Govori mbrëmë vonë.
Rasti raportohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshjeje për shit-blerjen e një veture.