Dy hajdutët e njohur të Prizrenit arrestohen për një rast të grabitjes, përfundojnë në ndalim policor

Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë.

Për një rast të tillë që ka ndodhur para disa ditësh në Prizren, Policia ka arritur t’i arrestojë dy persona të dyshuar, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se dy të dyshuarit që kanë rënë në prangat e Policisë para disa ditësh ia kanë grabitur një zinxhir një gruaje nga qafa dhe më pas kanë arritur të arratisen.

Por ndonëse e shijuan lirinë për disa ditë, të njëjtit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.

Personat e dyshuar për këtë rast, sipas të njëjtave burime dyshohen edhe për raste të tjera të kësaj natyre, grabitje e vjedhje.

Lajmin për arrestimin e tyre e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prizren.

Lexo edhe:  Therret me thikë një person te Qendra e Studentëve në Prishtinë: Policia rrethon vendin me shirita