Dy banorë e kapin në flagrancë hajnin që vodhi këpucë para banesave të tyre në Prishtinë, ia ‘dorëzojnë’ Policisë

Vjedhjet e shumta nëpër shtëpi e banesa janë shndërruar në një shqetësim të madh për qytetarët, duke shkaktuar humbje e ankth.

Ndër rastet më të shpeshta që ndodhin në objekte banesore janë edhe vjedhjet e këpucëve e gjësendeve të tjera që banorët lënë para dyerve të tyre. Një ndër hajnat që dyshohet për plot raste të tilla tashmë ka rënë në prangat e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 20-vjeçar, i cili u arrestua pasi u kap mat nga disa banorë në një banesë në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë, duke vjedhur këpucë të ndryshme.

Sinjali mëson se i dyshuari është V.Berisha, që u ndalua nga dy viktimat, pronarë të banesave, të cilët e “dorëzuan” para Policisë dhe më pas kanë dhënë deklaratat e tyre se si e kapën të dyshuarin në flagrancë.

I riu, sipas informacioneve të Sinjali, pas verifikimit, rezultoi se ka kryer edhe shumë vjedhje të tjera, vepër kjo që e ka përsëritur në vazhdimësi.

Pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të iniciohet rasti për veprën penale “vjedhje” dhe i njëjti të dërgohet në mbajtje për 48 orë.

Lexo edhe:  Emocionuese: Tani rrëfen historinë tragjike të jetës, i kërkon falje prindërve