Drenicasi e sulmon vëllain me tërfurk, shkak mosmarrëveshja për ndezjen e zjarrit

Konfliktet mes vëllezërve në familjet kosovare, shpeshherë përfundojnë me sharje e ofendime ndaj njëri-tjetrit. Ata madje me raste eskalojnë në kërcënime e përleshje fizike, duke u dashur kështu intervenimi i Policisë për të zgjidhur telashet.

Një rast i tillë ka ndodhur në një familje në fshatin Baicë të Drenasit, ku dy vëllezër janë përfshirë në një konflikt verbal që kaloi më pas në sulm.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një 37-vjeçar, po dyshohet se pas një mosmarrëveshje momentale, e ka sulmuar vëllain e tij me tërfurk dhe për pasojë i ka shkaktuar lëndime trupore.

Posa Policia është vënë në dijeni për rastin, viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.

Bazuar në dëshminë e tij, të dhënë para hetuesve, motivi që e shtyu të kapej me vëllain ishte një debat për ndezjen e zjarrit, që u bë mollë sherri mes tyre.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor”.

Lexo edhe:  “Oh Zot i madh”, reagimi i familjarëve të 15-vjeçarit të vrarë në Gramsh – të qara me dënesë