Drenicasi denoncohet nga gruaja për dhunë fizike, përfundon në ndalim policor

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese.

Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre. Ato shpeshherë nuk kanë guxim t’i denoncojnë këto raste në Polici për shkak se përballen me kanosje serioze.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në fshatin Korroticë e Epërme në Drenas, ku një burrë 67-vjeçar dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se 59-vjeçarja ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi u ballafaqua me burrin e saj, i cili ka shkaktuar frikë dhe shqetësim.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku është përballur me denoncimin kundër tij.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim që i njëjti të ndalohet dhe ndaj tij të nisin hetimet për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.

Lexo edhe:  Blendi Fevziu për Naim Murselin: Isha përshëndetur me të disa vite me parë, mendova t’ia gjejë numrin