Drenicaku raporton se fqinji ia ka vjedhur pasaportën dhe 3 mijë € nga shtëpia, kërkon ndihmë në Polici

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi e banesa, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos mbesin pa përkujdesje. Por, jo rrallëherë personat e dyshuar dalin të jenë të njohur për familjet që janë cak i vjedhjeve.

Kështu dyshohet se ka ndodhur në fshatin Fushticë e Epërme në Drenas, ku në një shtëpi ishte kryer vjedhje para rreth një muaji, ndërsa u denoncua tek tash.

Siç merr vesh Sinjali, pronari i shtëpisë ka kërkuar ndihmën e Policisë për vjedhjen e pasaportës dhe të rreth 3 mijë eurove para të gatshme.

Bazuar në dëshminë e tij, vjedhjen e ka kryer fqinji i tij, i cili sipas tij ishte i vetmi në dijeni për vendin ku e kishte lënë çelësin e shtëpisë pasi nuk ndodhej aty.

Burimet e njëjta kanë bërë me dije se viktima ka deklaruar se fqinji i tij tashmë nuk ndodhet fare në Kosovë dhe s’ka informacione më për të.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për inicimin e rastit.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është hapur hetimi në drejtim të veprës penale “Vjedhje e rëndë”.

Lexo edhe:  Politikani opozitar serb thotë se u rrah nga Radoiçiqi