Drenas | Nga “vrasje në tentativë” në lëndim trupor – i dyshuari dorëzon armën dhe dërgohet në ndalim 48 orë

Një rast i raportuar fillimisht si “Vrasje në tentativë” në Drenas ka pësuar rishikim juridik pas veprimeve hetimore shtesë dhe dorëzimit të armës nga i dyshuari

Ngjarja ka ndodhur më 13.10.2025 rreth orës 19:00, në rrugën “Antigona Fazliu” në Drenas, ku ishte raportuar se Burim Kukaj, ka mbetur i lënduar, ndërsa si i dyshuar ishte identifikuar Fatmir Rama.

Pas identifikimit, njësitë policore kishin kërkuar të dyshuarin në adresën e banimit, ku ishte kryer edhe kontroll në shtëpinë e tij, por pa rezultat. Të dyshuarit i ishin lënë dy herë ftesa për t’u paraqitur në polici.

Më 11.12.2025, i dyshuari është paraqitur vullnetarisht në NJHP – Prishtinë, ku ka dorëzuar një armë zjarri me tre fishekë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë incidentit, raporton Sinjali.

Në konsultim me Prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, të cilit i janë dërguar edhe video-incizimet nga vendi i ngjarjes, vepra penale është ricilësuar nga “Vrasje në tentativë” në “Lëndim trupor” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

Lexo edhe:  Dy aksidente ndodhën mbrëmë në autostrada në më pak se dy orë, tetë të lënduar