Dosja e Prokurorisë ndaj tre të dyshuarve për plantacionin e drogës në Sferkë të Pejës

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve Istref Bajrami, Liridon Hajrizaj dhe Enver Hasani, të cilët u arrestuan lidhur me kultivimin e narkotikëve në Sferkë të Pejës.

Seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë, pritet të mbahet sot, në ora 16:30, në Gjykatën Themelore në Pejë.

Tre të dyshuarit janë ndaluar mëngjesin e së enjtes, ndërsa më parë ishin arrestuar tetë shtetas të Shqipërisë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas Dosjes së Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” tre të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, poseidmi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. Ndërkaq, i pandehuri Bajrami dyshohet edhe për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen. Aty thuhet se nëse të pandehurit lihen në liri, mund të ndikojnë në dëshmitarë apo asgjësim të provave, dhe përfundimin apo përsëritjen e veprabe penale.

Prokuroria thekson se për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose
bimëve të kanabisit” dënueshmëria është me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në pesëmbëdhjetë (15) vjet. Njëjtë edhe për shitblerje të narkotikëve.

Ndërsa, për armëmbajtje pa leje parashihet dënimi me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

Sipas Prokurorisë, tre të pandehurit bëjnë kalime kufitare në shtetet e rajonit.

Lexo edhe:  Tubim madhështor edhe në Hagë, mërgata në përkrahje të krerëve të UÇK-së

“Kësaj duhet shtuar edhe faktin se i pandehuri Istref Bajrami në mënyrë të vazhdueshme kalon vijën kufitare me shtetin e Maqedonisë për të shkuar në Greqi. Po ashtu i pandehuri Liridon Hajrizaj në mënyrë të vazhdueshme kalon vijën kufitare në Bernjak, ku futet në Serbi, gjersa i pandehuri Enver Hasani ka kalime kufitare në Republikën e Shqipërisë, e që dihet fare mirë se si eshtë bashkëpunimi me Serbinë”, thuhet në kërkesë.

Ndryshe, sipas evidencës penale të Këshillit Gjyqësor, i pandehuri Istref Bajrami rezulton se ka pesë dënime të formës së prerë- prej tyre tri për armëmbajtje pa leje, një për kanosje dhe një për pjesëmarrje në rrahje. Për të gjitha këto raste, është dënuar me gjobë.

Në kërkesë theksohet se i pandehuri Enver Hasani ishte kontaktuar më 18 tetor 2024 nga një person, i cili i kishte thënë se tre persona e kanë kërkuar (që bëhet fjalë për zyrtarë policorë). Ai më pas e kontakton një numër tjetër dhe aty fillon të frikësohet dhe e njofton se do të arratiset, e më pas e njofton se ka shkuar në Kroaci, e pastaj se po qëndron në Tiranë. Kështu, thuhet se për një kohë të gjatë qëndron jashtë Republikës së Kosovës.

“Nga kjo datë të pandehurit e kanë lëshuar Republikën e Kosovës nën frikën se do të arrestohen dhe qëndrojnë jashtë Kosovës për një kohë”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Madje, thuhet se i pandehuri Hasani për momentin nuk ka ndonjë vendbanim, ngase është duke qëndruar në një kampshtëpizë e cila nuk është e tij.

“I pandehuri Liridon, pasi kishte ikur jashtë Kosovës, me datën 22.11.2024 ora 17:35 nga Brukseli kthehet në Kosovë. Edhe i pandehuri Istref Bajrami nga momenti i daljes nga Kosova me datën 18.10.2024 në kalimin kufitar Kulla Pejë, me një veturë me targa të Bosnjës xxx, qëndron jashtë shtetit deri me datën 18.01.2025 kur futet në Kosovë përmes pikës kufitare në Merdare me personin P.K”, thuhet në Dosje.

Lexo edhe:  Presidentja Osmani do t’i ftojë liderët e partive politike për takim

Gjithnjë sipas Prokurorisë, për të pandehurin Bajrami përmes një trankripti të 18 tetorit 2024 sqarohet se i tregon bashkëshortes se po ikë jashtë vendit.

Aty thuhet se për të pandehurin Hasani është lëshuar një urdhërarrest më 1 gusht 2022 për vepra penale kundër narkotikëve, e që dihet se urdhërarresti lëshohet pikërisht në rastet kur nuk i përgjigjesh ftesave të Prokurorisë ose Gjykatës. Pra, nga databaza e Policisë rezulton se ndaj Hasanit ka rast të hapur për shitblerje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje më 2022 në Malishevë, e që dihet se po të njëjtin vit dhe për të njëjtën zonë ka qenë i dyshuar edhe i pandehuri Aleks Gerbi.

Prokuroria në kërkesë thotë se gjatë fazës hetimore do të identifikohen edhe dy të dyshuarit që janë në kërkim, të cilëve u është publikuar edhe fotografia.

Më tej, Prokuroria thotë se duhet të merret parasysh fakti se kjo vepër është kryer në mënyrë të vazhdueshme dhe numrin e bimëve të mbjella që është 2850 sosh të cilat kishin per t’u nxjerrë për t’u tharë e më pas do të ishin për shitje.

Masat alternative do të ishin të pamjaftueshme për sigurinë e pranisë së të pandehurve në procedurë penale, vlerësoi Prokuroria.