DOKUMENT | Faton Peci ndërpreu memorandumet me OJQ-të pas akuzave për korrupsion

Në prag të garës për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci bart me vete një bagazh të rëndësishëm nga koha sa ishte Ministër i Bujqësisë. Në mars të vitit 2024, ai nënshkroi një vendim me të cilin ndërpreu memorandumin e bashkëpunimit me disa nga organizatat më të fuqishme të shoqërisë civile në vend – GLPS, Instituti GAP dhe INDEP. Arsyeja ishte se këto organizata kishin ngritur shqetësime për korrupsion në shpërndarjen e subvencioneve në ministrinë e Pecit, shkruan Demorkacia.com.

Në mars të vitit 2024, Ministria e Bujqësisë, e drejtuar nga Faton Peci, mori një vendim të për të ndërprerë memorandumin e bashkëpunimit me disa prej organizatave të shoqërisë civile. Ky memorandum, i nënshkruar vetëm një vit më parë, kishte për qëllim rritjen e transparencës në shpërndarjen e granteve dhe pagesave direkte për fermerët, përmes monitorimit të pavarur nga organizatat e përfshira.

Në vendimin me numër referent KM-70/24, të datës 08.03.2024, thuhet qartë se: “Ndërprehet bashkëpunimi i lidhur ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Institutit GAP dhe Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) e lidhur me datën 30 Mars 2023, nga palët nënshkruese, Ministri i MBPZhR-së z. Faton Peci dhe znj. Arbëresha Loxha Stublla, Drejtoreshë Ekzekutive e GLPS-së.”

Në arsyetim, ministria pretendon se konsorciumi i OJQ-ve kishte shkelur dispozitat e memorandumit, duke “mos i përdorur në mirëbesim dhe për qëllime të tjera” dokumentet e marra nga institucioni.

Vendimi thekson se “Konsorciumi ka bërë shkelje substanciale – mosrespektim, keqpërdorim, keqinterpretim dhe shfrytëzim të këtij bashkëpunimi të lidhur me dokumentet e marra nga MBPZhR, me cilat i krijon imazh jo të mirë dhe destruktiv këtij institucioni.”

Lexo edhe:  Tragjedia në Itali, 18-vjeçari shqiptar shkoi të flinte dhe nuk u zgjua më

Në thelb, vendimi nuk lidhet me mangësi teknike të organizatave, por me deklaratat publike të një përfaqësueseje monitoruese të projektit, Laura Nushi, e cila kishte folur për akuzat e mundshme të korrupsionit brenda ministrisë. Në dokument kjo pranohet haptazi:

“Ky Vendim është marrë pas një vlerësimi të kujdesshëm të deklaratave publike të zyrtares monitoruese, znj. Laura Nushi, të financuara nga projekti britanik, e cila ka përfshirë akuzat e mundshme të korrupsionit brenda institucionit.”

Pra, një memorandum i nënshkruar për të garantuar transparencë dhe monitorim u ndërpre pikërisht kur transparenca nisi të japë rezultatet e saj me publikimin e dyshimeve për keqpërdorime.