Doganuan vetura me dokumente false, vitiasi kërcënon përmes telefonit 36-vjeçarin në Gjermani
Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpeshherë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. E në shumë raste, situata eskalon deri në cenimin e sigurisë së tjetrit, duke u dashur medoemos ndërhyrja e organeve të rendit.
Për një rast të tillë që ka ndodhur së fundi në Viti, Prokuroria ka nisur hetimet.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pronari i një autosalloni veturash dyshohet se ka kërcënuar përmes telefonit një 36-vjeçar i cili ndodhet në Gjermani.
Viktima ka denoncuar rastin në Polici, ku ka njoftuar se e gjithë kjo ka ndodhur pasi bashkë me të dyshuarin janë përfshirë në një rast të doganimit të veturave, të cilat kishin dokumente të falsifikuara.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Kanosje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.