Dodik largohet nga Bosnja, policia në alarm: Si dreqin e kaloi kufirin drejt Serbisë?
E vënë në alarm, policia boshnjake ka nisur menjëherë një hetim pas lajmit se Milorad Dodik ka kaluar kufirin drejt Serbisë, pavarësisht se ndaj tij ishte lëshuar mandate arresti.
Një gjykatë vendase urdhëroi paraburgimin e lëshoi një urdhër arresti për liderin e Republikës Srpska si dhe për kryeministrin e këtij entiteti, Radovan Vishkovic dhe presidentin e Parlamentit, Nenad Stevandic, që të gjithë ata të vendosur nën lupën e drejtësisë për shkak se refuzuan t’i përgjigjen thirrjeve për t`u marrë në pyetje nga Prokuria.
Fletë-arresti, që është aktualisht i vlefshëm për territorin e Bosnje-Hercegovinës, i detyron të gjitha agjencitë policore në vend që të arrestojnë Dodikun, Vishkovicin dhe Stevandicin në momentin e parë që ndeshen me ta dhe t’ia dorëzojnë policisë gjyqësore.
Kjo vlen edhe për policinë kufitare, pjesëtarët e së cilës gjejnë dhe ndalojnë pothuajse çdo ditë persona për të cilët janë lëshuar urdhërarrest nga disa gjykata të vendit gjatë kontrolleve të rregullta të kalimit kufitar. Por, pavarësisht urdhër-arrestit, Dodik disi arriti të kalonte kufirin pa pengesa të hënën dhe të paraqitej në Beograd, ku u shfaq në krah të Aleksandar Vuçicit në një tubim qeveritar.
Pak ditë më parë, një grup deputetësh të Parlamentit Europian i bënë thirrjen shefes së diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të vendosur sanksione ndaj Millorad Dodikut. Përmes një letre, të nënshkruar nga 28 anëtarë të Parlamentit, Kallasit i kërkohej ndëshkimi i Dodikut për veprimet e tij të fundit që synojnë ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnja e Hercegovina.