“Do t’ju dhunojmë…”: Këta janë tre të dyshuarit që i tmerruan dy punëtoret e një marketi në Prishtinë
Vajzat dhe gratë janë viktimat më të shpeshta të ngacmimeve, sulmeve seksuale e dhunimeve.
Të tilla ngjarje të trishta shpesh ndodhin edhe në hapësira publike, institucione e biznese të ndryshme. Kështu ka ndodhur së fundmi në Prishtinë, ku dy punëtore në një market kanë raportuar se në vazhdimësi janë ngacmuar nga tre persona.
Denoncimi i dy viktimave, njëra 18 e tjetra 22-vjeçare ka aktivizuar Policinë dhe si rezultat të dyshuarit janë identifikuar.
Vetëm njëri prej tyre ka përfunduar në pranga të Policisë, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë futur në kërkim policor.
Siç mëson ekskluzivisht Sinjali, i dyshuari që u arrestua është Leutrim Morina, kurse dy personat që po kërkohen janë Flamur Mehmeti dhe E.G., i moshës së mitur.
Ndaj Morinës, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se bazuar në informacionet e para, tre të dyshuarit i kanë ngacmuar punëtoret teksa kanë qenë në vendin e punës, duke i tmerruar edhe me paralajmërime të tmerrshme, se “do t’ju dhunojmë kur ta përfundoni punën”.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.
“Është raportuar se dy femra kosovare punëtore në një market në vazhdimësi janë ngacmuar nga tre persona të dyshuar meshkuj kosovar. Njëri nga të dyshuarit është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.”