Djali rrah me grushte babain 89-vjeçar në Viti, ai detyrohet të kërkojë ndihmë nga Policia
Çdo ditë e më shumë po raportohen raste të dhunës në familje, ku shpeshherë viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre. Një rast i rëndë ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme në fshatin Kabash të Vitisë, ku një burrë e ka denoncuar të birin në Polici, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për një 50-vjeçar, i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht babain e tij 89-vjeçar, duke e rrahur me grushte, pas një mosmarrëveshje mes tyre.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur të shtunën në shtëpinë e tyre, kur babai i të dyshuarit u ballafaqua me dhunën e ushtruar nga i biri, çka e detyroi të kërkojë ndihmë nga Policia.
Me t’u denoncuar rasti, Policia ka intervenuar duke e arrestuar të dyshuarin, ndaj të cilit Prokurori i Shtetit ka iniciuar rastin për veprën penale ‘Dhunë në familje’.