Djali i doktorit Shaqir Demiri kthehet në banesën në veri pas 25 vitesh, falënderon shtetin
Pas 25 vitesh, familja e doktorit të njohur nga Mitrovica, Shaqir Demiri, është kthyer në banesën e tyre në veri të qytetit, shkruan “Jepi zë”.
Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, Kujtim Demiri, përmes një postimi publik në rrjete sociale, ku falënderon shtetin e Kosovës për sekuestrimin e pronës që ishte e uzurpuar prej vitesh.
“Falëmnderit shtet 🇽🇰”, shkroi ai, duke sqaruar se prona e familjes ishte e uzurpuar për 25 vite nga, siç e quan ai, “krimineli famëkeq në veri”, Z.A.
Sipas tij, fqinjët kanë treguar se Z.A. nuk është parë në qytet që nga sulmi i armatosur në Banjskë. Po ashtu, nga ajo kohë gruaja e tij, M.A., thuhet të ketë bartur sende nga banesa, përveç atyre që janë gjetur së fundmi nga Policia e Kosovës.
“Banesat ku kemi lindur unë e vëllai im, e ku jemi rritur – u liruan. Uroj që sa më shpejt të kthehemi të gjithë në pronat tona në veri”, shkroi më tej Kujtim Demiri.
Ai e përmbyll postimin me një mesazh të fuqishëm: “Zoti e bekoftë Kosovën e Shqipërinë”.