Djali i “bosit kosovar të drogës” lirohet në arrest shtëpiak

Elvis Kelmendi, i cili akuzohet për trafik droge, është liruar nga paraburgimi në arrest shtëpiak në Bosnjë, ka konfirmuar për portalin sarajevas Klix avokati i tij, Senad Kreho.

Ky vendim është marrë nga Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës, me propozim të Prokurorisë. Kelmendit i janë shqiptuar edhe masa shtrënguese përderisa është në arrest shtëpiak. Raportohet se ky vendim është marrë për shkak se ai ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë.

Elvis Kelmendi, Ajlin Ahmiq dhe Anel Sejfoviq u arrestuan më 12 korrik të këtij viti gjatë aksionit policor “Rez”, të cilin e ka kryer policia e Sarajevës.

“Të dyshuarit vepronin si grup i organizuar kriminal me role dhe detyra të ndara, grup i cili kontrabandonte dhe shiste lëndë narkotike për një periudhë të gjatë kohore në zonën e Sarajevës dhe qyteteve tjera”, thuhej në akuzën e Prokurorisë.

Ky grup ka përdorur aplikacionin e koduar Sky me qëllim kryerjen e veprave penale.

Elvis Kelmendi është cilësuar nga mediat boshnjake si djali i “bosit kosovar të drogës”, Naser Kelmendi.

Lexo edhe:  Policia zbulon vendndodhjen e të miturës që e rrëmbeu i fejuari, e kthen në shtëpi – i dyshuari lirohet