Ditët e fundit të mandatit, MPJD-ja pranon në punë 21 diplomatë të rinj, mes tyre të afërm me Gërvallën
Pak javë para përfundimit të mandatit, ministrja Donika Gërvalla-Schwarz ka nisur një proces të diskutueshëm për të emëruar diplomatë të rinj në misionet diplomatike. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka përzgjedhur 21 persona për pozitën “Zyrtar i Shërbimit të Jashtëm”.
Në këtë listë përfshihen emra të rinj, por gjithashtu ka individë me lidhje të drejtpërdrejta me ministren Gërvalla, duke ngritur dyshime për favorizime dhe konflikt interesi.
Një nga emrat që bie në sy është Atdhe Prelvukaj, i cili ka qenë më parë i punësuar si këshilltar politik në MPJD. Fillimisht, Prelvukaj ishte angazhuar si këshilltar i zëvendësministres Liza Gashi dhe më pas u transferua në kabinetin e ministres Donika Gërvalla. Ligji i shërbimit civil ndalon këshilltarët politikë të aplikojnë për pozita në administratë gjatë mandatit të tyre, pasi ata konsiderohen zyrtarë të lartë. Ky veprim ka ngjallur dyshime për shkelje të ligjit dhe konflikt interesi, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën e procesit të rekrutimit.
Në listë gjendet edhe Xhemajl Berisha, i cili aktualisht është i angazhuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Një tjetër emër është Shyhrete Brajshori Rama, e cila është familjare e zyrtarit Sami Brajshori. Sami Brajshori, i cili po ashtu është pranuar si “Zyrtar për Mision Diplomatik” kohë më parë, ka qenë i angazhuar si jurist në MPJD, ku përpiloi një vendim që ndalon punësimin e familjarëve të zyrtarëve aktualë të ministrisë. Ky rast ka ngritur dyshime të mëtejshme mbi integritetin e procesit të përzgjedhjes.
Rasti i fundit që bie në sy është ai i Blerim Halitit, i cili më parë ishte i angazhuar si “CDF” në MPJD.
Këto nuk janë rastet e vetme të rehatimeve nga ana e ministres Gërvalla në misionet diplomatike gjatë mandatit të saj. Demokracia.com ka raportuar në vazhdimësi për praktikat e ngjashme, duke theksuar shqetësimet për mungesën e transparencës dhe favorizimin e të afërmve apo individëve të lidhur me ministren