Dilleri i njohur në Prizren bie sërish në prangat e Antidrogës, kapet në flagrancë me narkotikë
Abuzimi me drogën mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga substancat narkotike sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Këta të fundit, kryesisht dalin të jenë emra të njohur për organet e rendit, që veprojnë si dillerë në qytete të ndryshme.
I tillë është edhe Jeton Kastrati nga Prizreni, i njohur për shkak të të kaluarës së tij kriminale, të pasur me plot vepra penale – mes tjerash edhe posedim e shitblerje të drogës.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i riu nga Prizreni që njihet si shpërndarës i drogës ka rënë sërish në prangat e Policisë, gjatë një aksioni të zhvilluar të enjten në mbrëmje, në rrugën “Ismail Kryeziu”.
Burimet e Sinjalit thonë se Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Policinë Rajonale në Prizren ka arritur që ta kap në flagrancë Kastratin dhe si rezultat i janë gjetur një sasi e substancës narkotike, e llojit marihuanë, armë të ftohta, si dhe qindra euro para të gatshme.
Droga që iu gjet të dyshuarit ishte përgatitur për shitje pasi u zbulua se njëri nga blerësit është një person i moshës së mitur (emër i njohur për redaksinë) – i cili po ashtu u shoqërua në stacion policor për intervistim.
I dyshuari Kastrati ka përfunduar në mbajtje me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i cili ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij dhe inicimin e rastit.
Rasti është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Prizren.
E kaluara kriminale e Jeton Kastratit
Ndryshe, e kaluara e Kastratit është e mbushur me plot raste e incidente, për të cilat është hetuar dhe jo rrallëherë ka përfunduar në qeli, por edhe për vepra të tjera si “Vjedhje” dhe “Vjedhje e rëndë”.
Në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar, Jeton Kastrati u arrestua nga Policia pasi fillimisht u arratis pas një incidenti që kishte ndodhur në rrugën “Qenë Qena” në Prizren, ku i njëjti ishte vetaksidentuar.
Ekskluzive: Ky është prizrenasi që shkaktoi aksident dhe iku – ka të kaluar kriminale, njihet si shpërndarës i drogës
Edhe në vitin 2022, gjatë një aksioni të Njësisë së Antidrogës, Policia kishte arrestuar Kastratin, vëllain e tij dhe dy të dyshuar të tjerë.
Gjatë operacionit policor, Policia kishte sekuestruar mbi një kilogramë drogë, të ndarë në 32 qese, që ishte e gatshme për shitje apo shpërndarje e po ashtu edhe disa qese me kokainë, telefona, veturë e prova të tjera.
Ekskluzive: Këta janë katër të arrestuarit nga aksioni i antidrogës në Prizren, u kapën me mbi 1 kg drogë