Digjet depoja e pijeve “1 Maji-X” në Gjilan, dëmi mbi 95 mijë euro
Një zjarr i madh ka përfshirë dje pasdite depon e pijeve “1 Maji-X” në rrugën e Ferizajit në Gjilan, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti është raportuar më 17 gusht 2025 rreth orës 14:30, kur flakët kanë kapluar tërësisht objektin. Zjarrfikësit kanë arritur ta vënë nën kontroll zjarrin rreth orës 17:00, ndërsa në vendin e ngjarjes ka qenë prezent edhe eksperti i zjarrit.
Pronari i depos, E.RR ka deklaruar se dëmi i shkaktuar llogaritet rreth 86,099 euro vetëm nga malli i djegur, ndërsa janë shkatërruar edhe dy automjete të depos me vlerë afër 9 mijë euro, duke e çuar dëmin total mbi 95 mijë euro.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e krim-teknikës së Stacionit Policor Gjilan, të cilat kanë bërë ekzaminimet e nevojshme. Përveç dëmeve materiale, fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar.
Me urdhër të prokurores kujdestare, rasti është cilësuar si “Zjarrvënie” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet e mëtutjeshme i janë besuar NJHR-së.