Dhunoi një vajzë të mitur në Mitrovicë, arrestohet pas gati një muaj në arrati i dyshuari

Një ngjarje e trishtë kishte ndodhur me 24 korrik të këtij viti në qytetin e Mitrovicës. Një vajzë e mitur dyshohet se ishte dhunuar seksualisht në një nga motelet e Mitrovicës nga një person i rritur me të cilin ishte në lidhje dashurie.

Sinjali mëson se xhaxhai i të miturës ditën kur ka ndodhur rasti e kishte raportuar mbesën e tij si të zhdukur. E një ditë më vonë ai bashkë me 16-vjeçaren shkuan në derë të Policisë për të rrëfyer krejt çka ka ndodhur.

Në prezencën e zyrtarit të Qendrës për Pune Sociale, e mitura ka deklaruar para hetuesve policorë se natën kur familjarët se dinin ku është e ka kaluar në një motel me të dashurin e saj.

Sipas saj, aty kishin pasur edhe kontakt intim. Njësitet policore ishin vënë në lëvizje që ta arrestojnë të dyshuarin, mirëpo ai ishte larguar në drejtim të panjohur.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se i dyshuari që ishte arratisur, nuk ka mundur ta shijojë lirinë edhe për shumë gjatë.

Pas veprimeve hetimore të Policisë. 22-vjeçari u arrit që të arrestohet mëngjesin e sotëm në pikën kufitare në Merdar. Pas arrestimit ai u shoqërua në stacion policor për intervistim, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunim’.

Me urdhër të prokurorit 22-vjeçari është dërguar në mbajtje për 48 orë. Kujtojmë që sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, personat që kryejnë marrëdhënie seksuale me persona që janë nën moshën 16-vjeçare, kryejnë vepër penale dhe mund të dënohen me burgim prej 5 deri në 20 vjet.

/GazetaSinjali/

Lexo edhe:  Ndodh edhe kjo: Hajduti shkon të shkatërrojë bankomatin me buldozer në mes të natës