Detaje tronditëse për vdekjen e kadetit të policisë, aktakuza: Babë e bir ikën nga vendi i ngjarjes, viktima thirri “oj nonë”

Më 21 nëntor të vitit 2022 ka vdekur tragjikisht në një aksident trafiku në fshatin Jashanicë të Klinës 30-vjeçari Flordian Shabaj, kadet në Policinë e Kosovës.

Për këtë rast Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritë aktakuzë kundër dy personave, babë e bir, Arton e Nezir Duraku 21 e 55 vjeçar, të cilët nga nëntori ndodhen nën masën e paraburgimit. Gazeta Express ka siguruar aktakuzën në të cilën përshkruhen detaje tronditëse se si erdhi deri te vdekja e kadetit të policisë. Sipas prokurorisë, në ditën kritike 21 vjeçari po drejtonte kamionin pa patentë shofer i cili ishte pa regjistrim dhe jo i rregullt teknikisht si dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë  e lëvizjes me kushtet e rrugës e tejkalon atë nga 50km/h sa ishte e lejuar, në mbi 90km/h. Në kamion në cilësinë e pasagjerit ishte edhe babai i tij, i cili sipas prokurorisë pas aksidentit kishte dalë nga kamioni së bashku me të birin duke iu afruar viktimës por “nuk i ofrojnë ndihmë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë”.

55-vjeçari e kishte dëgjuar viktimën duke thënë “oj nonë”, në momentet e fundit të jetës

Në aktakuzë përshkruhet edhe deklarata e një dëshmitarit, i cili thotë se Neziri u ka thënë se e ka dëgjuar viktimën duke thënë fjalët e fundit.

“Unë e pyeta qysh ndodhi rasti dhe i thash pse nuk keni nejt aty a u kon gjallë. Neziri tha se kur ka ndodh rasti jam afruar tek kerri i viktimës… dhe e di se tha që e ka dëgjua viktimën kur ka thënë “oj non” ose “iu non” qashtu diçka dhe mo nuk e ka dëgjua viktimën asnjë fjalë prej tij…”, citohet një dëshmitar në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës të cilën e posedon Gazeta Express.

Lexo edhe:  E rëndë: Nesër i jepet lamtumira e fundit Ardian Osmanit, i cili vdiq në një liqe në Gjermani

Por si ndodhi aksidenti tragjik?

Sipas aktakuzës së prokurorisë, 21-vjeçari nuk posedonte patentë shofer dhe kishte vozitur 90 km/h në zonën ku shpejtësia e lejuar ishte 50 km/h. Në ato momente i njëjti kalon në të majtë në shiritin e kundërt qarkullues, ku po qarkullonte me automjetin e tij të markës “Opel” i ndjeri Floridan Shabaj i cili po lëvizte me shpejtësi 46 km/h, “ku me pjesën e parë të anës së majtë të rimorkios e godet automjetin Opel në pjesën e parë ballore të anës së majtë, pikërisht në pjesën ku ndodhej viktima, i cili nga lëndimet e pësuara si rezultat i aksidentit ndërron jetë”.

Prandaj, prokuroria pretendon se 21-vjeçari ka kryer vepër penale “rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 par. 5 lidhur me par. 1 të KPRK-së.

“I pandehuri Arton Duraku: Me datën 21.11.2022 rreth orës 06:45min, në fshatin Jashanicë K. Klinës, shkel ligjin mbi trafikun publik dhe atë nenin 53 par. 1 dhe 231 par. 1 dhe me këtë tjetrit i shkakton vdekjen dhe atë viktimës/të ndjerit Flordian Shabaj, në atë mënyrë që, derisa i pandehuri, pa pas patentë shofer po drejtonte kamionin e markës “Mercedes Atego” i cili ishte i pa regjistruar dhe jo i rregullt teknikisht, në të cilën kishte rimorkion e kamionit dhe një rimorkio shtesë për transport ekskavatorësh, me të arritur fshatin e lartcekur, drejtimi Skenderej – Klinë, nuk e përshtat shpejtësinë e lëvizjes në raport me kushtet e rrugës dhe e tejkalon atë nga 50km/h sa ishte e lejuar në mbi 90km/h dhe kalon në të majtë në shiritin e kundër qarkullues, ku po qarkullonte me automjetin e tij të markës “Opel” i ndjeri Floridan Shabaj, ku me pjesën e parë të anës së majtë të rimorkios e godet automjetin Opel në pjesën e parë ballore të anës së majtë, pikërisht në pjesën ku ndodhej viktima, i cili nga lëndimet e pësuara si rezultat i aksidentit, ndërron jetë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë, transmeton Gazeta Express.

Lexo edhe:  Detaje të reja nga aksidenti tragjik në rrugën Prishtinë–Gjilan, ku humbi jetën një grua pas përplasjes së dy veturave

Gjithashtu, për të njëjtin prokuroria thotë se ka kryer edhe veprën penale “mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik” nga neni 374 par. 3 të KPRK-së.

“Me datën 22.11.2022 rreth orës 06:45min, në fshatin Jashanicë K. Klinës, rrugën Skenderaj – Klinë, si ngasës i kamionit “Mercedes Atego”, nuk i ofron ndihmë personit tjetër i cili është lënduar në aksidentin e trafikut të shkaktuar me kamionin e të pandehurit, nga ku edhe rezulton me vdekjen e viktimës Floridan Shabaj, në mënyrën që, pasi i pandehuri shkakton aksidentin e trafikut të përshkruar si në dispozitivin e parë të aktakuzës, ndalon kamionin dhe së bashku me prindin e tij/të pandehurin Nezir Duraku, dalin nga kamioni afrohen afër viktimës por nuk i ofrojnë ndihmë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë”, thuhet tutje në aktakuzë.

Ndërsa, babai i 21-vjeçarit akuzohet për kryerjen e veprës penale “mosdhënia e ndihmës” nga neni 188 par. 4 i KPRK-së.

Prokuroria pretendon se “ I pandehuri Nezir Duraku Me datën 21.11.2022 rreth orës 06:45min, në fshatin Jashanicë K. Klinës, rrugën Skenderaj – Klinë, nuk i ofron ndihmë personit tjetër, jeta e të cilit është ndodhur në rrezik të drejtpërdrejt edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madh për vete apo tjetrin, ndërsa nga kjo ka rezultuar me vdekjen e personit të rrezikuar dhe atë viktimës, tani të ndjerit Floridan Shabaj, në atë mënyrë që, pasi i pandehuri Arton Duraku, shkakton aksidentin e trafikut me kamion sikurse në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, ku i pandehuri Nezir ishte pasagjer në të, ashtu që i pandehuri Arton ndalon kamionin dhe së bashku me prindin e tij/të pandehurin Nezir Duraku, dalin nga kamioni, afrohen afër viktimës por nuk i ofrojnë ndihmë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë”.

Lexo edhe:  Tentuan ta vrisnin me thikë – përleshja e dhunshme në Prizren lë të plagosur rëndë, dy të rinj arrestohen

Raporti i autopsisë ka konstatuar se vdekja e të ndjerit ka ardhë si pasojë e gjakderdhjes masive (shokut hemorragjik).

Gjithashtu konstatohet se pacienti ishte sjellë me autoambulancë në emergjencë pa shenja jete si pasojë e aksidentit.

Kujtojmë se 21-vjeçari kishte qëndruar një ditë në arrati më pas ishte arrestuar nga policia.