Detaje: Si ndodhi dhe kush është bashkëpunëtori i kosovarit të arrestuar për grabitje e vrasje në Gjermani

Policia e Kosovës, njësiti FAST Kosova, në asistim me FIT-in, ka arrestuar sonte në Mitrovicë një person i cili po kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar nga shteti gjerman.

I dyshuari që u prangos është 27-vjeçari Granit Vallqi, i kërkuar nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Vrasje” dhe “Grabitje”.

Vallqi dhe një person tjetër dyshohen për vrasjen e një 85-vjeçari në Gjermani, më 7 shtator të vitit 2023.

Policia gjermane e ngarkon Vallqin dhe shtetasin libanez i moshës 28 vjeçare, Hassan Issa, për grabitjen e 85-vjeçarit dhe sulmin e rrahjen brutale e cila rezultoi me vdekjen e tij.

Sipas policisë së Gjermanisë, 85-vjeçari ishte gjetur pa shenja jete, i shtrirë në dysheme, në bodrumin e tij nga fqinji dhe djali i tij, ku një shirit ngjitës ishte mbështjellë rreth gojës dhe kokës së tij.

Po ashtu, autoritetet gjermane kanë njoftuar se dhomat në atë shtëpi u plaçkitën dhe pastaj u bënë përpjekje për të hapur kasafortën duke përdorur mjete.

Policia ka njoftuar se shkak i vdekjes së 85-vjeçarit ka qenë forca e përdorur ndaj tij.

Lajmi për arrestimin e Vallqit është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

“Me urdhër të Prokurorit Kujdestar për Krime të Renda i dyshuari tani më i arrestuar, me iniciale (G. V.) viti i lindjes (1997) dërgohet në ndalim policor për 48 orë për të vazhduar me procedura tjera të parapara për raste të tilla.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në parandalimin dhe luftimin e të gjitha llojeve të krimit, përderisa angazhime aktive janë duke u realizuar dhe do të realizohen në vazhdimësi edhe në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Lexo edhe:  Mërgimtari nga Malisheva që vdiq në vendin e punës, jetonte në Itali tash e 30-vite