Detaje ekskluzive nga përballja e pronarit të marketit Dioni në Klinë me grabitësit e armatosur

Një market në fshatin Jashnicë e Ulët në Klinë ishte cak i hajnave të enjten në mbrëmje, ku dy persona të maskuar dhe të armatosur ‘zbarkuan’ për të grabitur para. Pronari ishte ai që u përballë me hajdutët, të cilëve nuk iu shkoi plani dhe ikën derisa intervenoi Policia, raporton Gazeta Sinjali.

Siç merr vesh Sinjali, incidenti ka ndodhur në marketin Dioni, ku disa njësi policore dolën mbrëmë në vendin e ngjarjes pas denoncimit nga pronari.

Bazuar në informacionet e para, pronari i marketit është R.Morina – i cili e raportoi rastin dhe kërkoi ndihmën e Policisë, me ç’rast edhe deponoi pamjet nga kamerat e sigurisë.

Burimet e Sinjalit thonë se dy të dyshuarit, kanë qenë të armatosur me armë të gjatë dhe janë futur në market rreth orës 23:00, duke kërkuar nga pronari para.

Ky i fundit vendosi që të përballet me të dyshuarit dhe gjatë kacafytjes, përfundoi me plagë pasi njëri prej tyre i shkaktoi lëndime me një mjet të mprehtë.

Përballë kësaj situate, pasi hasën në rezistencën e viktimës, të dyshuarit u larguan pa grabitur asnjë cent.

Policia intervenoi në vendngjarje dhe ka kryer ekzaminimet e nevojshme, thonë tutje të njëjtat burime.

Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.

Lexo edhe:  Prokuroria Speciale e konfirmon arrestimin e Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt