Dështon seanca ndaj 70-vjeçarit që akuzohet për vrasjen e bashkëshortes
Në mungesë të mbrojtësit të viktimave, ka dështuar të mbahet seanca e rigjykimit ndaj Izet Godenit, i cili akuzohet se kishte privuar nga jeta gruan e tij S.G, në mënyrë mizore.
Paraprakisht gjykatësi tha se ka tentuar të kontaktojë më mbrojtësin e viktimave por i njëjti nuk është lajmëruar.
Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar me 25 vite burgim Godenin për shkak të veprës penale vrasje e rëndë.
Kurse Gjykata e Apelit, më 26 shtator 2023 e kishte kthyer çështjen në rigjykim me arsyetimin se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë është i përfshirë në shkelje esenciale të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjithnjë sipas vendimi të Apelit, thuhet se vendimi i Themelores nuk ka dhënë arsye për çdo pikë të aktgjykimit dhe se nuk është paraqitur në mënyrë të qartë dhe të plotë se cilat fakte konsiderohen të vërtetuara apo të pavërtetuara.