Dëshmitari: Në banesën e Krivaqës kam shkuar për t’i kthyer kamerat 5-6 ditë prapa e jo për t’i fshirë

Dëshmitari Besart Mani, si teknik në kompaninë “Syri i Shqiponjës”, ka theksuar se në gusht të vitit 2021, kishte qenë në banesën e Dardan Krivaqës, pasi që ky i fundit e kishte ftuar për t’ia kthyer video-incizimet 5-6 ditë prapa.

Këtë deklarim, Mani e bëri të enjten, në Gjykatën Themelore të Ferizajt, në procesin gjyqësor ku Dardan Krivaqa bashkë me Arbër Sejdiun, po akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e të ndjerës, Marigona Osmanit.

“Në muajin gusht 2021, kam qenë në punë ka qenë e diel, kur u lajmërova në punë në mëngjes, më treguan për detyrat e mia gjatë ditës, ndërsa atë ditë kam qenë në fshatin Sazli, e pastaj në Ferizaj tek një banesë afër Spitalit. Aty ka dal m’ka marrë Dardan Krivaqa dhe kemi shku në banesën e tij. Dardani ka kërku nga unë me i kthy kamerat 5-6 ditë prapa për shkak se thoshte m’ka hy n’shpi një njeri i familjes”, ka theksuar Mani.

Ai ka deklaruar se pas kërkesës së Krivaqës, kishte bërë punën e tij duke i kthyer kamerat apo video-incizimet që i ka kërkuar i njëjti.

Po ashtu, dëshmitari Mani ka thënë se ato incizime i kishin shikuar së bashku me Krivaqën, mirëpo sipas dëshmitarit aty nuk kishte asgjë për të dyshuar apo të pazakonshme.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sahit Krasniqi, e ka pyetur dëshmitarin nëse i njëjti ka shkuar për t’i kthyer video-incizimet apo për t’i fshirë, pasi që në akuzën e prokurorisë thuhet se i akuzuari Arbër Sejdiu, të akuzuarit Dardan Krivaqa, i kishte dhënë telefonin për të thirrur kompaninë e cila menaxhon kamerën, që ishte e vendosur në korridorin e banesës me qëllim që të fshihen video-incizimet, gjegjësisht provat e veprës penale.

Lexo edhe:  Reshje të mëdha të borës në rrugën Prizren-Prevallë, bllokohen makina të shumta

Lidhur me këtë, dëshmitari Mani, ka thënë se ka shkuar për t’i kthyer ato video-incizime sipas kërkesës së klientit, në këtë rast i akuzuari, Dardan Krivaqa.

Dëshmitari Mani, i pyetur nga gjykatësi Sahit Krasniqi, se ku ndodhen incizimet e datës 20 gusht 2021, ka deklaruar se nuk ka njohuri dhe që sipas tij, ka mundur që kamerat të kenë qenë të shkyçura nga rryma dhe me ç’rast nuk kanë punuar.

Në këtë fazë të procedurës, mbrojtësi i të akuzuarit Dardan Krivaqa, avokati Admir Salihu, ka propozuar që për seancë të radhës të ftohet mjeku që e ka kontrolluar të akuzuarin Dardan Krivaqa në ditën kur është mbajtur seanca dëgjimore për caktimin e paraburgimit, Astrit Hoxha, mjek në emergjencën e Ferizajt.

Sipas avokatit Salihu, ky propozim bëhet për arsye se Astrit Hoxha ka dhënë një deklaratë me disa rekomandime të cilat nuk janë marrë parasysh nga institucionet.

Trupi gjykues mori aktvendim që lidhur me propozimin e avokatit Salihu, do të vendoset jashtë seancës gjyqësore.

Ndërsa, seanca e radhës për këtë rast u caktua më 24 janar 2023.

Seanca fillestare për këtë rast është mbajtur 14 korrik 2022. Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.

Krivaqën prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura. /Betimi për Drejtësi

Lexo edhe:  Gjuajtje me armë në restorant “Tetova” në Ferizaj, Policia arreston dy të dyshuar