Dëshmia që mund të lëkundë fatet, Wesley Clark është dëshmitari i fundit i mbrojtjes në Hagë

Wesley Clark, ish-komandanti suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, do të fillojë dëshminë sot në procesin gjyqësor që është duke u zhvilluar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Ai fillimisht do të pyetet për të kaluarën e tij, për gjithë përvojën ushtarake që ka pasur para se të shërbente si gjeneral me katër yje dhe si kryekomandant i Forcave Evropiane të NATO-s, e më pas do të pyetet për gjithçka që di në lidhje me luftën e fundit në Kosovë.

Tema e parë që mbrojtja e Thaçit do të ngrejë ndaj Clarkut do të jetë përpjekja e tij për zbatimin e marrëveshjes së arritur mes Sllobodan Millosheviqit dhe Ibrahim Rugovës në tetor të vitit 1998, e më pas për Rezolutën 1199 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Më tej, ai pritet të flasë edhe për fushatën 78-ditore të bombardimeve të NATO-s mbi caqet jugosllave, që solli më pas lirinë për Republikën e Kosovës.

Përveç kësaj, mbrojtja pritet ta pyesë edhe për marrëveshjen e demilitarizimit dhe hyrjen e KFOR-it në Kosovë në vitin 1999, si dhe për të gjitha përgjegjësitë që ka pasur Hashim Thaçi dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Wesley Clark, sipas Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, nis dëshminë në mesditë.

Clark, njësoj si dëshmitarët e tjerë, do të shoqërohet nga një person i Ambasadës së SHBA-së në Hagë, pasi ai do të flasë vetëm për temat për të cilat i është dhënë leje jo vetëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit, por edhe nga Departamenti i Mbrojtjes.

Gjenerali Wesley Clark është dëshmitari i fundit në këtë proces gjyqësor.

Lexo edhe:  Vodhi çokollata ‘Milka’ në vlerë të dhjetëra € nga marketi në Fushë Kosovë, i riu ndalohet për 48 orë

Procesi i paraqitjes së provave nga mbrojtja ka filluar më 15 shtator, me dëshminë e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Më pas ka dëshmuar Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje.

Më 22 shtator dëshmoi edhe John Stewart Duncan, ish-këshilltar politik i gjeneralit Clark në NATO, i cili e përmbylli dëshminë një ditë më vonë. Ndërkaq, më 30 shtator ka filluar dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë Bernard Kouchner, i cili ka mbyllur paraqitjen më 2 tetor.

Dëshmitarët e fundit në rastin e Thaçit dhe të tjerëve kanë qenë Michael Durkee, këshilltar politik i komandantëve supremë të forcave aleate të NATO-s në Evropë, dhe ish-diplomati amerikan Christopher Hill.

Pas përfundimit të dëshmisë së Clark, gjykimi kalon në fazën përfundimtare të paraqitjes së mbylljeve nga të dyja palët, përpara se trupi gjykues të shpallë vendimin.