Dëshmia e Leonardit për vrasjen e motrës së tij: Naimin e gjeta në hotel, kishte porositur drekë – ‘Kam problem me zemër’, nuk pranoi ta shihte trupin e Liridonës
Në vazhdën e procesit gjyqësor për vrasjen e Liridona Ademajt, vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi po vazhdon dëshminë e tij sot para trupit gjykues.
Leonardi tregoi se pasi mori lajmin për vrasjen e motrës, kishte kërkuar Naim Murselin, burrin e saj – të dyshuarin kryesor për krimin. Ai tha se e kishte gjetur në një hotel në Prishtinë, në gjendje që në atë moment nuk i kishte ngjallur dyshime.
“Rreth orës 11 provova të kontaktoj me Naimin sepse nuk e dinim ku ndodhej. E thirra Valon Lluken, më tha: ‘Merre numrin e shoferit me të cilin është Naimi dhe fol me të.’ E thirra Betim Podrimqakun, më tha që Naimi është në Swiss. U nisëm me djalin e axhës, dajën dhe tezakun. Na thanë se është lart në dhomë. Ai ishte i shtrirë në shtrat, kishte disa gjëra ushqimore në tavolinë që i kishte porositur si drekë. Nga habia menduam se ishte i frikësuar, se po e përjetonte me dhimbje,” ka dëshmuar Leonardi.
Ai tregoi edhe për momentin kur kanë shkuar në morg për të parë trupin e pajetë të motrës së tij, ndërsa Naimi kishte refuzuar të hynte brenda.
“I thashë: ‘A mundemi me shku në morg me pa Liridonën?’ Më tha: ‘Jo, nuk na lejohet.’ E thirra vetë spitalin, i thashë: ‘A mundemi me ardh me pa trupin?’ Shkuam, erdhi edhe Naimi. Mjeku tha: ‘Nëse keni ndonjë problem, mundeni me mos ardh.’ Naimi tha: ‘Kam problem me zemër, s’e di a muj me e pa.’ Ai erdhi deri te dera, dhe vetëm nga dera e shikoi. Nuk hyri brenda,” rrëfeu ai.