Deputeti Mërgim Lushtaku reagon ndaj fyerjeve të deputetes Dejona Mihali, të cilën e quan “Šasha”
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave dhe, siç i ka quajtur ai, fyerjeve të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, të cilën e ka ironizuar duke e quajtur “Šasha”.
Lushtaku ka thënë se fyerjet e deputetes Mihali, të cilën e ka cilësuar si “mercenare të agjendave serbo-greke të Kurtit dhe Mihalit”, janë pjesë e një fushate mediale për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga, siç u shpreh ai, “krimet e pushtetit”.
Sipas Lushtakut, qëllimi i këtij “spini medial” është të mbulojë skandalet që po e tronditin qeverinë, përfshirë – siç ka përmendur ai – “vjedhjen e miliona eurove nga rezervat shtetërore, ku janë të përfshirë Rozeta Hajdari dhe vetë Albin Kurti”, si dhe “manipulimin e votave me ‘Trenin e Kurtit’ në Mitrovicë për të deformuar vullnetin e qytetarëve”.
“Ndërsa këto skandale shpërthejnë, pushteti dërgon mercenarë për të ofenduar dhe mashtruar publikun. Shtet i plaçkitur. Pushtet i kapur. Moral i rënë”, ka deklaruar Lushtaku.

