Deputetët e VV-së humbin durimin me KFOR-in, kërkojnë largimin e barikadave

(Mos)heqja e barrikadave në Veri ka bërë që njerëz të partisë në pushtet, Vetëvendosjes të përplasen me Misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.  

E gjitha ka nisur pasi komandanti i KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia ka thënë mbështesin dialogun për të gjetur marrëveshje me qëllim të zbutjes së tensioneve në veri.

“Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën. Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve. Ne i inkurajojmë të gjitha palët që të ndihmojnë në sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të ndikojnë në procesin e dialogut”, thuhet në një deklaratë zyrtare të Ristuccias.

Por kjo deklaratë e tij, nuk ju ka pëlqyer fare dy deputetë të VV-së, Artan Abrashi dhe Adnan Rrustemi, të cilët e kanë cilësuar të papranueshme, duke thënë se barrikadat duhet të hiqen menjëherë qoftë edhe nga Policia e Kosovës.

Deputeti i VV-së, Artan Abrashi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook duke kujtuar se KFOR-i kishte kërkuar pak kohë për largimin e barrikadave e kanë ikur mbi 2 javë.

“KFOR-i kërkoi pak kohë për heqje barrikadash, ndërkaq sot kur u bënë 14 ditë thotë të zgjidhet kjo çështje me dialog. Si ndodhi kjo që nga pak kohë për heqje të barrikadave të kalojmë te negociimi me krimin dhe bandat kriminale e të armatosura”, ka shkruar Abrashi në një postim në Facebook.

“Kjo është vërtetë e papranueshme. KFOR-i të përmbush misionin e tij ose barrikadat i heq Policia e Kosovës ashtu siç ka shprehur gatishmërinë dhe ka kapacitetin. Rendi dhe ligji nuk mund të dialogojnë me bandat kriminale”, ka shkruar ai.

Lexo edhe:  Murati tha se listat janë të fryera, Klinaku - veteranëve: Rrini gati për protestë

Ndërsa, deputeti tjetër i VV-së, Adnan Rrustemi, po përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “duhet ta themi rendin e gjërave ndonëse ai është shumë i thjeshtë dhe i qartë”.

“1. Në Republikën e Kosovës janë bllokuar disa prej rrugëve nacionale. Dhe kjo është e paligjshme. 2. Këto barrikada janë vendosura nga struktura kriminale dhe të armatosura që dirigjohen direkt nga Beogradi, madje këtë edhe e kanë pranuar zyrtarisht. 3. KFOR ka kërkuar pak kohë nga institucionet e Republikës së Kosovës për t’i hequr këto barrikada të paligjshme. 4. Jemi në ditën e 14 dhe sot KFOR deklaron që kjo punë të zgjidhet me dialog”.

Ai ka thënë se “këto deklarata dhe kjo zhagitje vërtetë po bëhen të papranueshme dhe janë duke kaluar çdo pritje”.

“Rendi dhe ligji duhet të mbizotërojë. Me krimin dhe paligjshmërinë nuk mund të negociohet. Barrikadat duhet të hiqen sa më parë dhe Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet ta bëjë këtë gjë”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti ditë më parë kishte deklaruar se KFOR-i i kishte kërkuar pak ditë kohë për heqjen e barrikadave, por kanë shkuar mbi dy javë kur janë vendosur dhe ende nuk janë larguar ato.