Dënohet me 500 euro shoferi që tejkaloi shpejtësinë në rrugën Mitrovicë – Prishtinë

Policia e Kosovës njoftoi të shtunën se ka ndëshkuar një kundërvajtës, i cili në zonën e kufizimit 40 km/h ka drejtuar automjetin me shpejtësi prej 92 km/h .

Sipas njoftimit, ai është identifikuar nga policia gjatë kontrollit të trafikut rrugor dhe matjes së shpejtësisë me radar në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë.

“Njësia e Trafikut në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë, gjatë kontrollit të trafikut rrugor dhe matjes së shpejtësisë me radar në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë në segmentin rrugor në zonën urbane në Vushtrri, kanë identifikuar kundërvajtësin, i cili në zonën e kufizimit 40 km/h, po zhvillonte shpejtësi prej 92 km/h”, thuhet në komunikatën për media.

Kundërvajtësit i është shqiptuar gjobë prej 500 euro, pesë pikë negative si dhe masa mbrojtëse-ndalimi i drejtimit me mjet motorik prej një viti në territorin e Republikës së Kosovës.

Lexo edhe:  Vodhi para nga dy vetura dhe një kuletë të një gruaje, arrestohet i mituri në Fushë Kosovë