Dënohet me 25 vjet burgim burri nga Prishtina që vrau bashkëshorten për motive xhelozie

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues, duke e dënuar me dënim unik prej 25 vjet burgim Ragip Gashin, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, M.G., i nxitur nga motivet e ulëta të xhelozisë, në mënyrë dinake.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Gashi për “Vrasje të rëndë” u dënua me 24 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje me 2 vite burgim.

Ndaj tij, gjykata shpalli dënim unik prej 25 vjet burgim.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i akuzuari Ragip Gashi më 21 dhjetor 2016 në Prishtinë, në lagjen “Mati 1”, i nxitur nga motivet e ulëta të xhelozisë, në mënyrë dinake e privon nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën M.G.

Aktakuza thotë se derisa tani e ndjera M.G kishte shkuar mysafir te familjarët e saj dhe ishin duke ndenjur, me ç’rast i pandehuri Gashi e ka thirrur në telefon duke i thënë që ka shkuar për ta marrë në shtëpi, dhe tani e ndjera duke mos dyshuar asgjë është nisur për të shkuar te i pandehuri.

Tutje, sipas aktit akuzues, i pandehuri Gashi i kishte thënë paraprakisht se e priste në rrugë, ndërsa vëllai i saj i dëmtuari-dëshmitari Xh.H e kishte përcjellur, papritmas atyre iu ka dalë në pritë i pandehuri Gashi me revole në dorë, i cili me dashje që ta privojë nga jeta, ka shtënë në drejtim të tani të ndjerës M.G., duke e qëlluar me dy plumba në pjesën e përparme të gjoksit, ku njëri plumb e ka goditur në zemër, me ç’rast M.G., ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Me këtë, i akuzuari Ragip Gashi, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, raporton Betimi për Drejtësi.

Lexo edhe:  Tkurret popullsia në Kosovë, dalin vetëm 1.5 milionë banorë