Dënohet incidenti në Postën e Kosovës në Zveçan, cilësohet sulm terrorist

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, kanë dënuar sulmin me granata dore në Postën e Kosovës në Zveçan, që ndodhi pas mesnatës të 1 prillit.

Kurti theksoi se ky është një akt për të cenuar sigurinë dhe penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor të Kosovës, duke akuzuar individët me lidhje kriminale, si Millan Radoiçiq, që vazhdojnë të mbeten të lirë dhe mbështeten nga pushteti serb.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se shpërthimi i një granate dore shkaktoi dëme materiale, ndërsa një tjetër u shpërthye në mënyrë të kontrolluar.

Zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani, tha se nuk ka persona të lënduar.

Sulmi ka ndodhur në një periudhë të tensionuar, kur në veri të Kosovës janë regjistruar disa sulme të ngjashme me granata dore.

Në vitet e fundit, tensionet kanë qenë të larta për shkak të veprimeve të Qeverisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe, përfshirë mbylljen e institucioneve paralele serbe.

Lexo edhe:  Të gjithë minatorët që u bllokuan në minierë ishin agjerueshëm dhe nuk e prishën Ramazanin