Dejona Mihali implikohet në aktakuzën ndaj Krasniqit, rrjedhin tetë komunikime mes tyre Demokracia

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) zyrtarisht drejtohej nga Nagip Krasniqi. Por, defacto korporatën e kontrollonte Dejona Mihali, koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, dëshmojnë komunikimet e rrjedha nga aktakuza ndaj Nagip Krasniqit dhe dy të tjerëve.

Tetë komunikime, në platforma të ndryshme të komunikimit online, ishin zhvilluar mes Krasniqit dhe Mihalit brenda një periudhe më pak se një vjeçare.

Krasniqi i raportonte Mihalit për çkado që i kërkohej. Nga çështje të ndryshme tenderimi, deri te eksportet në energji. E informonte për emrat e zyrtarëve që mbanin pozita në KEK.

Për këto komunikime me Mihalin, Krasniqi do të ballafaqohet me drejtësinë. Ai akuzohet se i ka siguruar informata që përbëjnë fshehtësi zyrtare zyrtares së Lëvizjes Vetëvendosje

Rrjedhimisht, përpos veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, Krasniqi është ngarkuar edhe me kryerjen e veprës penale ‘zbulimi i fshehtësisë zyrtare’.

Aktakuza e ngritur të hënën nga Prokuroria Speciale kundër Nagip Krasniqit dhe dy të tjerëve, dëshmon se si dyshja komunikonin në vazhdimësi për procedura tenderuese të Korporatës Energjetike të Kosovës, transmeton paparaci.

“Më 2 korrik 2022, në ora 8:21 PM, gjatë komunikimeve në rrjetin social ’WhatsApp’, me Mihalin, i ka dërguar informatën lidhur me dyshimin për abuzimin e energjisë elektrike nga ana e KESH-it sipas marrëveshjes së datës 24 qershor 2022 në mes të KEK dhe KESH”, thuhet në dosjen e Prokurorisë Speciale.

Në një komunikim tjetër, Krasniqi i dërgonte Mihalit dy dokumente për eksportet e energjisë elektrike.

Mihali i kërkonte ato pasi ia dërgonte Krasniqit një lajm që raportonte se Kompania GEN, e lidhur me ambasadorin Martin Berishaj, kishte fituar 4.2 milionë euro nga tregtimi i energjisë me Kosovën.

“Kurse, më 22 prill 2022, në ora 06:25 PM, i pandehuri gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ i ka dërguar Mihalit dy dokumente për eksportet e energjisë elektrike për muajin mars- prill 2022, pas pranimit të lajmit nga ana e saj lidhur me publikimin e një informacioni nga portali ’Reporteri’ me titullin ‘Kompania GEN e lidhur me ambasadorin Berisha mori 4.2 milion euro nga Kosova për dy muaj të krizës energjetike’”, thuhet në aktakuzë.

Lexo edhe:  19-vjeçari e rrah babain e tij në Prishtinë, është përdorues i narkotikëve

Në një komunikim tjetër të dokumentuar në aktakuzë, më 24 shkurt 2022, në ora 7:59, gjatë komunikimeve në platformën e komunikimit ’Signal’ Krasniqi i dërgonte Mihalit një dokument me titull “Agjenda e takimit të datës  09.02.2023”.

Në këtë dokument ishin të përfshira pikat kryesore si dhe termat e referencës për tenderin e titulluar “Shërbime të Konsulencës Ligjore dhe Rregullatorët”.

“Më 12 prill 2023 në ora 4:25 PM, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘Signal’ i ka dërguar Mihalit, një draft-autorizim për angazhimin e një konsulenti të jashtëm për asistencë teknike për sektorin e fushëveprimit të KEK-ut, përkatësisht angazhimin e ekspertit Gazmend Begolli”, thuhet në aktakuzë.

Mihali informohej për pothuajse gjithçka. Krasniqi ia dërgonte asaj edhe kërkesat zyrtare të KEK-ut drejtuar qeverisë.

“Më 4 gusht 2022, në ora 3:59 PM, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ i ka dërguar Mihalit, kërkesën drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës përkatësisht kryeministrit të Kosovës dhe ministrave të Qeverisë për plotësim/ndryshimin e vendimit për shpalljen e emergjencës energjetike”, vazhdon aktakuza.

Kurse, më 29 shtator 2022, gjatë një komunikimi në platformën ’WhatsApp’, Krasniqi ia dërgonte Mihalit tabelën me të dhënat/çmimet e gjashtë tenderuesve të cilët kanë ofertuar për aktivitetet e prokurimit “Riparimi kapital i kalldasë dhe Riparimi kapital i turbinës dhe gjeneratorit”.

Aktakuza thotë se më 13 tetor 2022, gjatë komunikimeve në ’WhatsApp’, në grupin ku bënte pjesë Mihali, Krasniqi e dërgonte informatën në lidhje me një tender tjetër të KEK-ut.

“Dhe se më 16 maj 2022, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ i ka dërguar Mihalit, një komunikim-foto me shkrimin e tre emrave dhe pozitave të zyrtarëve në KEK: Driton Bytyqi, Emin Tmava dhe Mustafa Kavaja, pas të cilës e njëjta i kthen përgjigje dhe për secilin veç e veç i jep informata për profilin e secilit nga të lartcekurit”, thuhet në aktakuzë.

Lexo edhe:  Mitrovicasi e dërgon gruan në Brezovicë, por dehet dhe e rrah

“Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” është vepër penale e cila, sipas Kodit Penal të Kosovës, sanksionohet me gjashtë muaj deri në 5 vjet burgim.

Nagip Krasniqi ishte arrestuar më 19 prill, nën dyshimet për tri vepra penale, të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit. Për këto vepra penale, ndaj tij është ngritur një aktakuzë tjetër vitin e kaluar.