“Dashuria ndërkombëtare” përfundon me dhunë – Kosovarja kërkon mbrojtje nga burri amerikan
Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre.
Gazeta Sinjali mëson se një tjetër rast dhune në familje është regjistruar në kryeqytet. Më 14 qershor 2025, rreth orës 18:00, në rrugën “Labeatet” në Prishtinë, një grua ka raportuar në polici se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, shtetas amerikan.
Burimet e Sinjalit brenda hetuesisë bëjnë me dije se viktima, D. F.-B., 47 vjeçare, ka deklaruar se pas një mosmarrëveshjeje me bashkëshortin T. B., 61 vjeçar, i njëjti e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar lëndime në dorë.
Viktima është dërguar për trajtim mjekësor dhe më pas është intervistuar nga Policia.
Pas shoqërimit në stacion, është marrë në pyetje edhe i dyshuari. Me urdhër të prokurorit kujdestar për rastet e dhunës në familje, është iniciuar procedurë penale për veprën “Dhunë në Familje”, ndërsa T.B. është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë.