DASH: Radoiçiqi është kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi
dijeni të raportimeve të mediave për takimin mes Marko Gjuriq, ambasadorit serb në Shtetet e Bashkuara dhe Milan Radoiçiq, i cili është në listën e zezë të SHBA-së për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.
“Ne kemi një qëndrim të qartë për zotin Radoiçiq. Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për Radion Evropa e Lirë.
Shtohet se Serbia duhet të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin “e kryer nga strukturat paraushtarake në Banjskë të Kosovës, që rezultoi me vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë së Kosovës”.
Në rrjetin social X është publikuar më 9 mars një foto ku shihet Marko Gjuriq, ambasadori aktual i Serbisë në Uashington dhe Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, i cili është në listën e sanksioneve amerikane.
Në foto Gjuriq dhe Radoiçiq shfaqen së bashku në një restorant. Nuk dihet se kur dhe ku është bërë fotografia, si dhe kush është autori.
Gjithashtu nuk dihet nëse fotografia është bërë në kohën kur Gjuriq ishte ambasador i Serbisë në SHBA, në listën e sanksioneve të të cilit është edhe Radoiçiq.
REL nuk ishte në gjendje të përcaktonte vërtetësinë e fotografisë.
Marko Gjuriq, i cili pas publikimit të fotografisë tha se nuk duhet të turpërohet për kontaktet e tij, nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë për detajet e takimit me Radoiçiqin dhe se kur është bërë fotografia.
Ish-drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverisë së Serbisë, është emëruar ambasador në Uashington në tetor të vitit 2020.