Dalin pamjet: Zv.ministri i Mbrojtjes i pranishëm në një festë burrash ku gjuhet me armë zjarri
Një ndejë e shndërruar në “festival armësh” është filmuar së fundmi në prani të zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Në pamjet e publikuara nga Nacionale shihet zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, dhe drejtori për Siguri në Gjilan, Bejtulla Osmani, teksa ndodhen në një ndejë ku dëgjohen të shtëna me armë zjarri.
Në video shihet se ndeja është mbajtur në një ambient të improvizuar me një tendë plastike, ku shihet mish në prush, shishe rakie dhe dëgjohen të shtëna të shumta armësh, që ngritin shqetësime serioze për sjelljen e zyrtarëve publikë në raste të tilla.
Deri tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga ana e institucioneve të sigurisë për këtë ngjarje, ndërsa videoja ka nxitur reagime nga qytetarët.
Mbetet të shihet nëse Prokuroria apo Policia e Kosovës do të ndërmarrin ndonjë veprim lidhur me këtë rast që përfshin figura publike në një ndejë me armë zjarri.