Çitaku publikon foton e Gacaferrit me Kurtin: Të gëzohesh për sëmundje s’është politikë, është degradim njerëzor
Një prej politikaneve që është më së gjati në PDK dhe që i ka rënë të bashkëpunojë me Hashim Thaçin në periudha të ndryshme, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj një shkrimi që kandidati për deputet i koalicionit VV-GUXO, Luan Gacaferri, ka bërë në profilin e tij, duke listuar mes lajmesh edhe faktin që Thaçi është i sëmurë dhe duke kërkuar për lajme të tjera të mira
Çitaku ka thënë se kur një njeri gëzohet për keqësimin e shëndetit të tjetrit, s’ka të bëjë më me politikë, por degradim njerëzor.
“Kur një njeri gëzohet për sëmundjen e tjetrit, kur keqësimi i shëndeti të dikujt bëhet arsye për festë, aty nuk kemi të bëjmë më me politikë – por me degradim njerëzor.
Presidenti Thaçi vazhdon të mbahet në paraburgim tash e gati 5 vite, dhe disa i japin vetes të drejtën të shpërfaqin ligësi dhe urrejtje të papërmbajtur”, ka shkruar Çitaku.
“Dhe më e trishta? Këta nuk janë thjesht individë të rastësishëm, por njerëz të cilët përfaqësojnë një mentalitet që na ka zhytur në një pellg të helmit politik dhe shpirtëror. Kur një kandidat për deputet, një njeri që kërkon besimin e qytetarëve, bëhet simbol i një urrejtjeje të tillë, atëherë s’kemi të bëjmë më me një problem individual – por me një krizë të thellë morale.
Mjerim. Turp. Dhe një pasqyrë e qartë e rrugës ku na ka çuar kjo mendësi politike”, ka përfunduar ajo