Çështja e mandatarit, Osmani i thirr në takim për nesër liderët partiakë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani iu ka dërguar ftesë për takim krerëve të partive.

Këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina ka thënë se takimi do të mbahet të premten në ora 12:00.

Përgjegjësia për mandatarin ka kaluar sërish tek Presidentja, pas dështimit për votimin e Qeverisë së re në seancën e së dielës.

Pro Qeverisë me mandatar për kryeministër, Albin Kurtin, ishin veç 56 vota për nga 61 sa nevojiten.

Osmani kishte paralajmëruar se do t’i ftonte të gjitha partitë politike për të parë nëse dikush nga subjektet politike mund të krijojë shumicën parlamentare.

Edhe mandatari i ardhshëm t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

Kreu i PDK’së, Memli Krasniqi, ka thënë se ata nuk do të marrin mandatin për formimin e Qeverisë, duke theksuar se asnjëra nga partitë nuk e ka shumicën. Si rrugë e vetme, ai ka thënë se mbeten zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Edhe Kurti, e sheh këtë si rrugën e vetme. Një ditë pas dështimit për votimin e Qeverisë, Kurti zbuloi se u ka bërë ofertë për bashkëqeverisje LDK’së dhe Nismës, por asnjëra nuk kanë pranuar të hyjnë në koalicion me VV’në.

Lexo edhe:  Lulzim Hetemi përfundon në Polici, u kap me një qytetar në hyrje të Mitrovicës