“Çdo ditë po largohen nga policia pjesëtarë të saj, Qeveria me urgjencë të plotësojë kërkesat”

Policia e Kosovës është aktivizuar si kurrë më parë që të gëzojnë të drejtat e tyre që dikur i kishin para se Ligji i ri i Pagave të hynte në fuqi tash e nëntë muaj.

Përmes sindikatës që përfaqësohen, ata nënshkruan mbi 6 mijë nënshkrime duke kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që rrezikshmëria t`u paguhet, që të kenë shujtat ditore, uniforma shtesë, ligjin për pensionim e kërkesa të tjera.

Burim i pakënaqësisë për pjesëtarë e policisë është Ligji i ri i Pagave i sponsorizuar nga Qeveria Kurti dhe më pas i votuar në Kuvendin e Kosovës.

Tash e nëntë muaj si pasojë e këtij ligji ku pagat nuk u rritët, por në raste të caktuar ato u zvogëluan për policinë, filluan edhe largimet masive nga Policia e Kosovës, nga profesionistë të kësaj organizate që kujdeset për sigurinë dhe rendin publik.

Alarmin e kuqë se dorëheqjet do të vazhdojnë me një ritëm të shpejt, në rast se qeveria nuk lëviz në plotësimin e kërkesave të policisë, tash e sa kohë e ka ngre edhe kryetari i sindikatës së policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

Ai ka thënë për emisionin “Expose”, prodhim i Gazeta Blic se policët po dorëhiqen çdo ditë.

Thotë se është momenti i fundit ku ekzekutivi duhet të ndërhyjë.

Ky krye sindikalist i policisë thotë se një komision në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të shqyrtuar kërkesat e policisë dhe mundësinë e ndërhyrjes në ligjin e ri të pagave, është themeluar në prillin e këtij viti, por sot e kësaj dite, as nuk janë takuar më të, as nuk dinë se çfarë ka bërë ky komision.

Zeqiri thotë se nga kanalet jo zyrtare kanë kuptuar se ose ky komision, ose MPB ose Qeveria e Kosovës, mund të dalin me një vendim ditët e ardhshme, e ku sipas tij mund të ketë lajme të mira për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Lexo edhe:  E trishtë, vdes një 5 vjeçar në Pejë, policia nis hetimet!

“Këto kërkesat e policisë, gjegjësisht të sindikatës kanë qenë të mëhershëm edhe të viteve të mëparshme dhe vazhdimisht këto kërkesa që i kemi përcjellë, kanë qenë kërkesa të pjesëtarëve të policisë së Kosovës që i kemi 9 mijë e diçka policë. 8 mijë janë zyrtarë policor dhe më autorizime policore dhe 900 i kemi staf mbështetës që përbejnë rreth 9 mijë dhe kërkesat e tyre i kemi drejtuar në Qeveri”, thotë ai, duke shtuar se këto janë kërkesa të arsyeshme dhe shumë të nevojshme.

Kërkesë më prioritet që ka qenë ndër vite, sipas tij ka qenë sigurimi shëndetësor dhe jetësorë për Policinë e Kosovës dhe ligji për pensionin në moshën 55 vjeçare.

”Si dhe kërkesa të tjera siç ka qenë pagesa e udhëtimit, shujta, pagës së 13, mandej kërkesat tjera, qoftë për veshmbathje apo kushte tjera, infrastrukturë, puna e disa stacioneve policore. Dhe nëse nisemi nga kryeqyteti, kemi dy stacione policore që janë në objekte private, që nuk janë të dedikuara për stacione policore dhe nuk i plotësojnë as kushtet minimale që të zhvillohet puna normale, është keq që stacioni i veriut është vendos në një objekt privat ku kryhen punët jashtëzakonisht me vështirësi të mëdha”.

“Dhe kërkesat e reja na kanë dalë nga implementimi i Ligjit të Pagave. Na dolën kërkesa shtese siç janë rrezikshmëria gjatë punës së policisë. Kjo as që është dashtë të vihet në pikëpyetje, le më që të ndalet dhe sipas ligjit të ri të pagave tashmë është muaji nëntë që nuk iu ekzekutohen në paga si dhe disa shtesa qoftë ajo për punë të veçantë, qoftë ajo shtesa për tri paga për zyrtarin policor, zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25. Një mori kërkesash që na dolën nga ligji i pagave e që kjo e bëri përkundër kërkesave të tjera dhe kjo ndalesa e shtesës së rrezikshmërisë krijoj pakënaqësi shumë të mëdha te policia”, thotë ai, raporton Gazeta Blic.

Lexo edhe:  Mbyllet rruga për qarkullim në Mitrovicën e Veriut

Ai ka bërë të ditur se përkundër kërkesave që i kishim drejtuar Qeverisë, para dy muajve e kanë dorëzuar edhe një peticion në Kuvendin e Kosovës të nënshkruar nga 6 mijë pjesëtarë të policisë që i bie 63 përqind.

”Kjo çështje u ngrit para dy jave nga kryetarja e komisionit dhe ende nuk kemi marrë ndonjë përgjigje konkrete dhe nuk kemi një reflektim. Edhe peticioni rrodhi si pakënaqësi e policisë së Kosovës dhe vërtetë çka është për shqetësim është që përpos pakënaqësive me shkrim përpos peticionit, pos ankesave të përditshme që kanë te sindikata, ata pakënaqësitë kanë filluar t`i shprehin edhe me dorëheqje vullnetare nga policia. Kjo është shqetësuese edhe për neve si sindikatë edhe për policinë, por edhe për vetë shtetin, populli ka filluar të shqetësohet se dorëheqjet masive në policinë e Kosovës do ta dëmtonin vetë sigurinë e vendit, prandaj unë mendoj se i vetmi parandalim për dorëheqjet vullnetare është reflektimi dhe plotësimi i kushteve të policisë, thjeshtë përmirësimi i mirëqenies në policinë e Kosovës”, tha ai.