“Cali” kërkon hua nga Kosova, dy ministri s’i kthejnë as përgjigje
As ministria e Drejtësisë e as ajo e Financave nuk i kanë kthyer përgjigje ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa në lidhje me një çështje për të cilën ai është në hall në Gjykatën Speciale.
Ish-komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa, ka kërkuar ndihmë urgjente nga institucionet e Kosovës. Thirrja e tij është drejtuar në dy ministri, në atë të Drejtësisë dhe Financave, por të dy këto kanë heshtur. 207 mijë euro është shuma fillestare që përveç dënimit me burg, Salih Mustafës i ishte vënë barrë t’ia paguajë viktimave të pretenduara në rastin e tij në Gjykatën Speciale. Çështja u komplikua edhe më shumë kur në korrik të këtij viti, një gjyqtar i vetëm vendosi që përveç shumës bazë, Mustafa të paguajë edhe interes prej 8% në vit deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve. Kjo nënkuptonte rritje të vazhdueshme të borxhit.
Në këtë kontekst, së fundmi mbrojtja propozoi një “rrugë alternative”: që viktimat të transferojnë kërkesat e tyre përmes një procedure ligjore te shteti i Kosovës, i cili do t’i kompensonte menjëherë dhe në tërësi. Më pas, shteti do të merrte përsipër detyrimin për të kërkuar nga Mustafa kthimin e shumës së borxhit. Sipas mbrojtjes, kjo do të siguronte që viktimat të merrnin shpejt kompensimin e merituar, ndërsa shteti, me kapacitetet e tij financiare dhe juridike, do të kishte më shumë mundësi të menaxhonte rikuperimin e fondeve.
Për ta qartësuar këtë çështje, Salih Mustafa, ka kërkuar ndihmë dhe sqarime nga ana e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë. Por, këta të fundit nuk janë përgjigjur.
“Mbrojtja thekson se Regjistrari i Dhomave të Specializuara është më i përshtatshmi për të hetuar realizueshmërinë e këtij propozimi. Mbrojtja së fundi i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës për të parë se cili departament do të ishte përgjegjës për t’u marrë me këtë çështje. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë përgjigje për këtë. Gjykata e Apelit mund të pezullojë përkohësisht procedurat në mënyrë që Regjistrari të mund të kryejë një hetim të tillë”, ka thënë mbrojtja e Salih Mustafës në shkresën që e ka parë VOX Kosova.
Ministria e Drejtësisë nuk është e vetmja që nuk ka marrë mundin të kthejë as një e-mail për ish-komandantin e UÇK-së. Njëjtë veproi edhe ajo e Financave, e udhëhequr nga Hekuran Murati. Kjo gjithashtu konfirmohet në shkresën e avokatëve të “Calit”.
Salih Mustafa me vendimin final të Speciales është i dënuar me 15 vjet heqje lirie. Pjesë e dënimit është edhe shuma prej 207 mijë euro të cilën ai duhet t’ia paguajë në formë kompensimi ndaj viktimave të rastit.