Burri nga Malisheva e bën për spital nipin e tij të mitur, thotë se u nervozua me të një ditë më parë

Telashet familjare shpesh herë kalojnë muret e shtëpive, për shkak të eskalimit të situatës ku nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë për të zgjidhur problemet. Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në Malishevë.

Sinjali mëson se një burrë ka përfunduar në prangat e Policisë, pasi që dyshohet se ka rrahur nipin e tij të mitur. Rastin në Polici e ka denoncuar vëllai i të dyshuarit, i cili ka deklaruar se djali i tij është sulmuar fizikisht nga 52-vjeçari.

Si pasojë e lëndimeve të marra nga rrahja, i mituri është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku aty është udhëzuar që të transferohet në spitalin rajonal të Prizrenit për trajtim të mëtutjeshëm.

Ndërkohë i dyshuari është shoqëruar në stacion për intervistim, ku para hetuesve policorë ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur për shkak të nervozes që kishte me të miturin një ditë më parë.

Me urdhër të prokurorit, 52-vjeçari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Lexo edhe:  Pamje të frikshme, momenti kur rrokulliset një veturë në Lupq të Podujevës