Burri në Shtime kërcënon me jetë ish-bashkëshorten: Kom me t’vra ty edhe fëmijët
Burri në Shtime kërcënon me jetë ish-bashkëshorten: Kom me t’vra ty edhe fëmijët
Ka shumë raste kur gratë kosovare nuk ‘shpëtojnë’ nga problemet edhe pse zgjedhin që të shkurorëzohen e të ndajnë rrugët me bashkëshortët e tyre, të cilët u shkaktojnë telashe. Edhe pas ndarjes, shumë nga ta nuk i lënë rehat ish-partneret e tyre.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në Shtime, ku një burrë dyshohet se ka kërcënuar ish-bashkëshorten e tij.
Sinjali mëson se gjashtë vite më parë çifti janë ndarë pas 16 viteve bashkëjetesë dhe të njëjtit kanë tre fëmijë të cilët jetojnë tashmë me nënën e tyre.
Bazuar në dëshminë e 39-vjeçares, e gjithë ngjarja ka ndodhur pasi ajo ka dalë nga puna dhe duke ecur në këmbë ka takuar ish- bashkëshortin me veturë, i cili dyshohet se e ka fyer me fjalë të rënda dhe e ka kërcënuar se do ta vrasë atë dhe fëmijët.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve ka mohuar të ketë kërcënuar viktimën.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 35-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.