Burri në Malishevë rrah brutalisht gruan e tij, e ngreh zhag nëpër tokë
Si pasojë e dhunës që përjetojnë nga bashkëshortët e tyre, shumë gra kosovare kërkojnë ndihmë mjekësore në spitalet nëpër qytete të ndryshme të Kosovës. Për shkak të kësaj, ato dhunën e denoncojnë edhe në organet e rendit.
Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur mbrëmë në fshatin Banjë të Malishevës, Prokuroria ka nisur hetimet.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në ambientet e shtëpisë ku jeton çifti.
Sipas dëshmisë së gruas që ka raportuar rastin në Polici, bashkëshorti i saj dyshohet se e ka sulmuar fizikisht duke e goditur e më pas duke e tërhequr zvarrë nëpër tokë. Për shkak të dhunës së përjetuar, 32-vjeçarja ka pësuar lëndime trupore për çka edhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Ndërkohë i dyshuari fillimisht nuk është arritur që të arrestohet, pasi ai është arratisur nga shtëpia. Por më vonë ai është paraqitur në stacion policor ku është intervistuar nga hetuesit.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.