Burri në Fushë Kosovë rrah brutalisht gjithë natën gruan, ajo ikë të fqinjët dhe e lajmëron Policinë

Vajzat dhe gratë vazhdojnë të mbeten viktimat më të shpeshta të dhunës në familje.

Bashkëshortët dhe anëtarët tjerë të familjes në shumë raste ushtrojnë dhunë sistematike në mënyra të ndryshme ndaj tyre. E për shkak të dhunës fizike që përjetojnë, viktimat në të shumtën e herëve përfundojnë me lëndime të rënda dhe dërgohen në spital, raporton Gazeta Sinjali.

Me dhunë brutale nga bashkëshorti i saj, është përballur gjatë ditës së djeshme edhe një grua nga Fushë Kosova.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ka qenë vetë viktima ajo e cila ka denoncuar rastin në Polici, e cila dyshohet se është grushtuar e shqelmuar nga burri i saj gjatë gjithë natës.

Përballë kësaj situate, ajo ka arritur që të largohet nga shtëpia dhe të shkojë te fqinjët e saj, prej ku ka kërkuar ndihmë nga Policia.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën ‘Dhunë në familje’’, ndërsa veprimet tjera do të ndërmerren pasi të sigurohet prezenca e të dyshuarit.’.

Më shqetësues është fakti se ky nuk është rasti i vetëm që ka ndodhur në familjen e tyre, pasi edhe në të kaluarën i dyshuari ka ushtruar dhunë ndaj gruas, e madje kanë pasur rast edhe në gjykatë.

Lexo edhe:  Të shtëna me armë në diskotekën ‘Balles’ në Prishtinë, plagoset një person