Burri kosovar thotë se gruas së tij ruse iu ndalua hyrja në Kosovë

Të shtunën ateroi në Kosovë, por vizita e Aleksandra Zhuk dhe foshnjës së saj gjashtëmuajshe përfundoi shumë shpejt.

Kjo pasi gruas ruse që jeton në Gjermani iu ndalua hyrja në Kosovë.

E arsyet për këtë ndalesë i ka treguar burri i saj kosovar, Ali Gashi.

“I kanë thënë Rusia është në sanksione. Ti e ke pasaportën e Rusisë dhe s’mund të hysh në Kosovë… S’kemi pas kurrë probleme, hera e parë që po ndodh, kena pas me ardh në Kosovë, gruaja u nis me aeroplan se beba e vogël e unë me dy fëmijët e tjerë kam pas me ardh në Kosovë të premten që vjen”, tha ai.

Gashi thotë se me Aleksandrën, u martuan në vitin 2012.

Ndërsa ka vërejtje edhe për trajtimin e saj dhe të foshnjës, gjatë ndalimit në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë.

“Tre policë ju kanë qëndru mbi krye, derisa i kanë nis për Gjermani. 24 orë derisa u hap ambasada e Gjermanisë se unë i kam njoftuar policinë këtu ku jetoj, se djali e ka pasaportën e Gjermanisë”, shtoi ai.

Babai i tre fëmijëve, thotë se me gruan pushimet vazhdimisht i kanë kaluar në vendlindje.

Ndërsa për institucionet e Kosovës, ka një lutje.

“E kam një lutje, në qoftë se më lejoni me hy, unë të premten e marr gruan e fëmijët e vije me kerr. E lus shtetin e Kosovës të ma bë një zgjidhje”, apeloi Gashi.

Për këtë çështje, Tëvë1 ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Punëve të Brendshme.

Por, asnjëra prej tyre nuk ka kthyer përgjigje.

Ndryshe, në shtatorin e vitit 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se shtetasit rus që duan të hyjnë në Kosovë, obligohen të pajisen me vizë të Republikës së Kosovës për hyrje tranzit dhe qëndrim në territorin e Kosovës.

Lexo edhe:  O’Brien: I bëjmë thirrje Kurtit të ndërpres veprimet që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë