Burgim i përjetshëm për Edmond Lajçin që vrau gruan e tij familja e Gjyljetës: Vendim që na lehtësoi sadopak dhimbjen
Gjykata e Apelit ka konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm për Edmond Lajçin, i cili vrau bashkëshorten e tij, Gjyljeta Ukella, duke vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda.
Pas vendimit, ka reaguar Shpat Ukella, vëllai i viktimës, i cili tha se ky vendim i ka lehtësuar sadopak dhimbjen familjes së tij.
“S’ka si të jetë ndryshe, veç burgim i përjetshëm për ata që vrasin gruan”, shkroi ai në një postim në Facebook, duke falënderuar organet për drejtësinë e vendosur.
Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit, duke i dhënë kështu fund procedurës gjyqësore me një vendim përfundimtar ndaj Lajçit.